Geiv Tomço: Znj. Farka, së pari ju falenderoj për kohën që po dedikoni sot ndaj Social Innovation dhe dëshirën e mirë të shprehur nga ana juaj për të ndarë me këtë komunitet njohuritë tuaja rreth Pronës Intelektuale, veçanërisht në temën mjaft të rëndësishme që do të trajtojmë, e cila rrotullohet rreth Brandit Kombëtar. Kam nderin dhe kënaqësinë si CTO i EXINN, të hulumtojmë së bashku nëpërmjet formatit të bisedës dhe në sajë të ekspertizës suaj, të dizajn-mendojmë drejt qasjes së imazhit të “Brand Albania”. Vlerësoj se shoqëria jonë gjendet në një moment kyç të zhvillimit të vlerave të saj globale, të cilat nuk mund të perceptohen jashtë karakterit të “Brandit Kombëtar”. Pa humbur kohë, le të nisim me pyetjen e parë:
Cili është mendimi juaj për imazhin e brandit të produkteve Shqiptare?
Elona Farka: Vlerësoj se identifikohet nevoja e krijimit të një logo/brand dhe sllogani ombrellë për të mbështetur eksportet e produkteve dhe shërbimeve “Brand Albania” në tregun global. Shqipëria është një treg shumë i vogël për të mbushur raftet e një tregu global. Brandet e zonave gjeografike lokale duhet të identifikohen poshtë një brandi ombrellë në raftet e tregut ndërkombëtar. Mungesa e një strategjie, nuk ndihmon në identifikimin e produkteve në raftin e një supermarketi gjigand nga konsumatorët, nëse nuk kemi numër të konsiderueshëm produktesh në atë raft.
G: Cila është strategjia e duhur për të fituar vëmendjen e konsumatorëve të huaj?
E: Për të hyrë në lupën e distributorëve gjigantë vizualisht, duhet që mbi produktet dhe shërbimet shqiptare të reflektojmë një logo-dizajn që shpreh dhe përfaqëson të gjitha copat e brandeve shqiptare. Cilësia e lartë, performanca dhe besueshmëria janë kostoja e hyrjes në shumicën e tregjeve moderne – Brandi tashmë është bërë faktor kyç për ta arritur me sukses këtë mision.
G: Si duhet qasur pozicionimi i brandit?
E: Pozicionim brandi nuk është vetëm projektimi i një slogani të mirë, logo apo fushatë promocionale e bukur. Vlerësoj se pozicionimi i brandit kombëtar është një strategji e thellë dhe e nevojshme për të kapur zemrat dhe vëmendjen e vizitorëve të huaj. Kjo nënkupton se i gjithë vendi duhet të mbështetet nga politikat, risitë, ngjarjet, strukturat, investimet dhe veprimet simbolike që e bëjnë brandin të njohur. Brandi është një konstrukt mendor që memorizohet në dijen e konsumatorëve. Pa një reputacion të fuqishëm dhe pozitiv “BRAND-KOMB,” asnjë vend në vazhdimësi nuk mund të konkurojë për konsumatorët, turistët, investitorët, respektin e emigrantëve dhe vëmendjen e vendeve të tjera dhe medias në botë. “Logo/brandi/marka” është përmbledhja e dobishme e aseteve jo-materiale konkuruese e kombit: ajo duhet të shprehë vizionin e tij, gjeniun e saj, karakterin e saj dallues.
Në përfundim vlerësoj se sfida e zhvillimit të brandit “Albania” duhet të evolojë nga faza “Made in Albania” në “Created & Designed in Albania.”
G: Znj. Farka, ju falenderoj për kohën që na dedikuat, si dhe për përgjigjet e trajtuara me kaq profesionalizëm nga ana juaj. Shpresoj që të kemi sërish biseda të tilla së bashku, për të nxjerrë në pah vlerat intelektuale që fshihen nën konceptin e Brandit Kombëtar.

Copyright 2018 © EXINN Technology Center – All Rights Reserved
Leave a Reply
Për të postuar një koment, duhet të jeni i futur.