Një intervistë ndryshe me chairman-in, themeluesin dhe shefin e inovacionit në EXINN Technology Center për “dizajn-mendimin”. Është një ide që buron nga kurioziteti im personal si student, por edhe nga rrugëtimi im si moderator në projektin “Social Innovation” të EXINN-it. Do të thoja se ndihem me fat që pata mundësinë të përjetoja nga afër shumë eksperienca, koncepte dhe ide të reja mbi botën e inovacionit tek EXINN Technology Center. Mendoj se jam i bekuar që kam shansin të mentorohem dhe komunikoj me dizajn-menduesin Andrea Papa për tema, të cilat me krenari mund të them hapur se, zgjeruan në shumë drejtime botëkuptimin tim mbi inovacionin.
Renato: Dizajn-mendimi ose “design thinking” është një fjalë aq e njohur në botën moderne, por kaq e re për brezin tonë. Z. Papa, a mund ta qasni kuptimin e saj në një mënyre që të jetë e thjeshtë dhe kuptueshme nga audienca e brezit studentor? Çfarë është dizajn-mendimi në perceptimin tuaj?
Papa: Renato, shumë faleminderit për hyrjen e bukur dhe komplimentat modeste. Do të mundohem të ndjek këshillen e Einstein, që thotë: Nëse nuk je në gjendje ta shpjegosh diçka po aq thjeshtë sikur i’a thua një fëmije 6 vjeçar, atëherë nuk e ke kuptuar as vetë.
Në kuptimin tim, dizajn-mendimi është proçesi gjatë të cilit informacioni përpunohet nga neuronet, për të konkluduar në një të mesme të artë, ose e thënë ndryshe, në një ekuilibër të mendimeve që kërkojnë përgjigje dhe zgjidhje unike. Të dizenjosh mendimet, do të thoja se është proçesi më i lartë i imagjinatës dhe kreativitetit, proçes që është gjithmonë në një konsideratë të vazhdueshme. Cilësia e dizajn-mendimit në vetvete, është ajo që reflekton perimetrin e dijes dhe eksperiencës sonë të vërtetë. Sa më shumë ato zgjerohen, aq më i madh është mozaiku i eksplorimit.
R: Cili është dallimi midis perceptimit të dizajnit klasik dhe dizajnit të mendimit modern?
P: Në përkufizimin klasik, kur i referohemi fjalës dizajn, kryesisht kufizohemi në perceptimin e vizatimit si një proces që ushtrohet për të krijuar një formë, send, objekt etj. Bota e dizajnit mental ka ndryshuar totalisht, pasi vetë njerëzimi ka evoluar për nevoja dhe zgjidhje të reja dhe më komplekse. Njeriu i epokës së sotme dixhitale mendon në dimensione të reja kreativiteti dhe inovacioni. Mozaiku i ndërtimit të copave që kërkojnë zgjidhje të performancës së lartë, tashmë vlerësohet si avantazhi konkurues më i rëndësishëm në biografinë e kapitalit intelektual, për t’i mbijetuar konkurencës teknologjike. Pikërisht cilësia e shërbimit apo e produktit që buron nga mozaiku i dizajn-mendimit kompleks, matet nga fuqia e tij për t’i qëndruar sa më gjatë në kohë ndryshimeve të realitetit kaotik. E thënë në mënyrën poetike, dizajn-mendimi është aftësia e trurit për të imagjinuar atë që nuk ekziston në të tashmen, por që do të ndodhë në të ardhmen…
R: Ku mendoni se ndodhet zhvillimi i dizajn-mendimit të njeriut të sotëm?
P: Besoj se ndodhemi pikërisht në fazën që kalojmë nga dizajn-mendimi individual, në dizajn mendimin kolektiv. Inteligjenca artificiale tashmë është bërë pjesë e pandarë e evolimit të njeriut modern. Mundohuni të imagjinoni epokën kur njerëzimi do të kalojë nga mendimi kolektiv, në mendimin ndërgalaktik dhe universal…
R: Çfarë tjetër do të pasojë pas këtij evolucioni të “destinuar”?
P: Të eksplorosh përtej asaj që duket e pamundur, është misioni sfidues i njeriut në “jetët” e tij. Pikërisht, të përpiqesh të dizajn-mendosh si një krijesë e projektuar për të ekzistuar në pafundësi, është diçka që nuk e zgjodhëm ne njerezit si krijesë, por “dikush” tjetër. Udhëtimi në këtë proces magjik, është më i rëndësishëm se vetë destinacioni…
Thjesht, “enjoy the process…”
R: Z. Papa, ishte kënaqësi që pata mundësinë të eksploroja dizajn-mendimin tuaj unik. Ju falenderoj për intervistën, dhe mezi pres për intervistën e rradhës me ju.
P: You’re welcome, Renato, and go on for the next. Askush nuk do të na mbajë mend për mendimet që nuk shprehen dhe që nuk i ndajmë me të tjerët.

Copyright 2018 © EXINN Technology Center – All Rights Reserved
Leave a Reply
Për të postuar një koment, duhet të jeni i futur.