Ju jeni e ardhmja, dhe brezi ynë duhet t’ju kalojë eksperiencat, njohuritë dhe këshillat më të mira.
Diskutim me dizajn-menduesin Andrea Papa mbi startup-et.
R: Z. Papa, ndoshta dikush mund të thoshte që këto diskutime apo intervista do të mund t’i bënte një profesionist “me emër dhe eksperiencë”, dhe jo një student i inxhinierisë së elektronikës. Si do t’i përgjigjeshit audiencës nëse do t’ju pyeste se përse zgjodhët pikërisht një student?
P: Renato, të falenderoj shumë për pyetjen fantastike dhe të drejtpërdrejtë. Dialogu me një student besoj se e bën audiencën që të përfaqësohet më thjeshtë në qasjen e tematikës. Si e tillë, nëse “pse-ja” është e nevojshme për tu zbuluar, atëherë le ta provojmë ta bëjmë atë të mundur bashkë. Duke qenë se tema e sotme e diskutimit do të rrotullohet rreth botës së startup-eve, unë vlerësoj dhe propozoj se është rasti ideal ta konsiderosh “Renaton” si student startup i inxhinierisë dhe i nismës Social Innovation. Përshembull, nëse tek “startup-i Renato” investohet në durim, besim, eksperiencë, njohuri dhe çdo instrument tjetër të nevojshëm, në premtim të kthimit të tyre me vlerë të shtuar nga 2 deri në 5 vite, atëherë kjo vlerë e shtuar do të rezultojë në “mega profit”, në shumë drejtime për të gjithë. Që të bëhem krahasues dhe më i qartë, po marr një shembull më të kuptueshëm. Nëse do të investonim vetëm 10,000 dollarë në Amazon, Dell, Apple, Facebook, Microsoft ose kompani të tjera të sukseshme kur ata shkuan me idetë e tyre si startup në IPO (Initial Public Offering), atëherë pas IPO-s do të ishim rreth 1 milion dollarë më të pasur vetëm nga ky investim, referuar Librit të Listimeve IPO në USA. Atëherë unë do të shtroja pyetjen? A do të mundej një stratup, qëpërmban brenda saj “Renaton”, të prodhojë të paktën 10 milionë dollarë, nga 2 deri në 5 vite? Përgjigja natyrisht që do ishte e varur nga shumë faktorë objektive dhe subjektive, por në fund të fundit, “fati” i çdo startup-i fillon nga një ide unike inovative, e cila nuk lind nga hiçi, por prodhohet nga truri i njeriut. Me pak fjalë, “fati” i një startup-i është fuqia e idesë dhe dizajn-mendimi inovativ për të fituar investitorë ose financues.
R: Atëherë, në rastin e një startup-i Shqiptar, si mund të krahasohet tregu jonë me tregjet moderne që i kapitalizojnë startup-et me IPO, ndërkohë që tregu i instrumentëve financiarë në Shqipëri, është ende startup për vete?
P: Tregjet moderne, kryesisht duke i’u referuar Silicon Valley dhe ekosistemeve të ngjashme ku lindin ose krijohen startup-e të suksesshme, kanë ndërtuar modele funksionale të tipit “Equity Crowdfunding”, por jo vetëm. Është rasti kur investitorë të ndryshëm kombinojnë së bashku burimet e tyre financiare, me qëllim sigurimin e kapitalit të “farës” për startup-et, në këmbim të aksioneve të kapitalit në biznes. Në vetvete, këto modele nuk investojnë vetëm me kapital, por edhe me besim, pjesmarrje dhe çdo gjë që do ta bejë një ide inovative apo një startup, të suksesshëm për atë që projektohet. Suksesi në ditët e sotme është çështje rrjetëzimi i kapitalit human, për të funksionuar dhe dizajn-menduar si specie, dhe jo thjesht si individ.
Aktualisht, vetë tregu Shqiptar është një startup që kërkon të sjellë rilindjen e kombit në të gjithë sektorët ekonomiko-socialë të jetës, por jo vetëm. Sipas dizajn-mendimit tim, edhe vetë politika dhe ekonomia shqiptare janë një startup që investohen çdo 4 vite nga besimi i popullit shqiptar, në premtim të rikthimit të investimit për një të ardhme më të mirë. Me pak fjalë, ne jemi ende një startup kombëtar, të cilët po përpiqemi të ndërtojmë karakterin e brandit tonë kombëtar. Kjo gjë, Renato, nuk kopjohet, por lind dhe zhvillohet nga vetë njerëzit e Kombit Shqiptar. Në vetvete, karakteri i brandit Kombëtar është shumatorja që reflekton nivelin e kapitalit intelektual të zhvillimit, pra trurin, intelektin, mentalitetin, kulturën, inovacionin dhe çdo aset konkret dhe jokonkret të tij. Pra, ne reflektojmë atë që vërtet jemi.
R: Z. Papa, po marr shkas nga shprehja juaj e mësipërme, “Sukesi në ditët e sotme është çështje rrjetëzimi i kapitalit human, për të funksionuar dhe dizajn-menduar si specie, dhe jo thjesht si individ”. Sa influencon dallimi i të menduarit si specie dhe si individ, në cilësinë e një ideje që do të shndërrohet në një startup inovativ?
P: Është njësoj si të thuash që kërkohet një zgjidhje e cila do t’i shërbejë shpëtimit të njerëzimit, dhe ti ta zgjidhësh vetëm për të shpëtuar veten. Unë them shpeshherë që “parajsa nuk të hyn në punë i vetëm” dhe arsyeja pse e përdor këtë shprehje, buron pikërisht nga filozofia e dizajn-mendimeve të mia për të funksionuar si “specie” që mendon se është pjesë e gjithësisë. Në vetvete, të shndërrohesh nga një startup në një ekoosistem biznesi, i cili do t’i shërbejë shoqërisë, përveç shpërblimit monetar dhe lavdisë, është përgjegjësi sociale. Pikërisht, përgjegjësia është pjesë e të menduarit si specie. Startup-i është si fëmija që lind dhe nuk di asgjë. Nëse gjatë 7 viteve të para të rritjes së tij do të investosh me durim, dashuri, besim dhe edukim, ajo që do të korrësh në të ardhmen si prind dhe shoqëri, do të jetë krenaria, lumturia dhe karakteri i tij, të cilat do të prodhojnë dhe shtojnë vlerë dhe do të transmetohen tek pasardhësit. Startup-i është si ajo fara që mbjell dhe kërkon përkujdesje, për tu bërë pemë me fruta. Që të përfundoj, kur ne mendojmë si specie, atëherë edhe idetë që dizenjojmë dhe çdo gjë që krijojmë, nga e ndërlikuar, bëhet më e thjeshtë.
R: Si mendon se do të jetë e ardhmja e bizneseve startup në Shqipëri?
P: Nuk jam krenar që indeksi i inovacionit e rreshton Shqipërinë të parët nga fundi, ndërkohë që zhvillimi në sektorë të tjerë të ekonomisë po pëson transformime të vazhdueshme. Kjo është e vërteta, dhe nëse nuk përballemi me këtë fakt dhe nuk reflektojmë, atëherë ky disavantazh do të krijojë probleme dhe kosto në kohë dhe zhvillim. Kategoria e startup-eve shqiptare, kryesisht mbështetet në modelin e “kopjimit” dhe “made in”. Kjo lloj kategorie startup-esh karakterizohet nga sipërmarrje që kanë rreze gjeografike zhvillimi të kufizuar. Kategoria e startup-eve për të cilat Shqipëria ka nevojë të zhvillojë, do të jenë pikërisht idetë dhe startup-et që do të globalizohen poshtë sloganit “Designed in Albania”. Ne duhet të gjejmë mënyrën për të mbështetur pikërisht këtë kulturë të menduari tek gjenerata e re, nëse duam të jemi të llogaritshëm në Ballkan, Europë dhe më gjerë. Shqipëria nuk do të kishte asnjë problem ekonomik, nëse kapitali intelektual i saj gjeneron ide dhe startup-e unike. Jemi një vend shumë i vogël për të pasur probleme të mëdha. E imagjinoni dot sikur Apple ose Facebook të ishin shpikur në Shqipëri? Buxheti i Koresë së Jugut është i bazuar në pak produkte dhe shërbime unike. Ne jemi vetëm 3 milionë. Pothuajse sa një lagje e një kryeqyteti me më shumë se 10 milionë banorë. Problemet qëndrojnë në mënyrën e dizajn-mendimit tonë, Renato, dhe kjo do të thotë që zgjidhjet duhet t’i gjejmë në vetë.
R: Z. Papa, edhe njëherë ju falenderoj në emër të gjeneratës sime, për diskutimin dhe durimin tuaj për të kontribuar me eksperiencë dhe njohuri, në shërbim të inovacionit social.
P: Renato, edhe unë të falenderoj. Ju jeni e ardhmja dhe brezi ynë e ka për detyrë t’ju kalojë eksperiencat, njohuritë dhe këshillat më të mira.

Leave a Reply
Për të postuar një koment, duhet të jeni i futur.